Fakte rreth kandidozës dhe shtatzënisë
I zakonshëm te femrat, infeksioni mykotik vaginal – i njohur gjithashtu si kandidozë – shkaktohet kryesisht nga myku Candida dhe prek 3 nga 4 gra gjatë jetës së tyre.1 Kandidoza, e cila shfaqet shpesh si pasojë e marrjes së barnave ose veshjeve jashtëzakonisht të ngushta, mund të shfaqet te gratë shtatzëna për shkak të ndryshime të shpejta që prekin trupat e tyre. Çekuilibrimet hormonale, dhe sidomos niveli tejet i lartë i estrogjenit, shtojnë gjasat e zhvillimit të kandidozës vaginale.
Nëse infektoheni me kandidozë gjatë shtatzënisë ose gjatë kohës që përpiqeni për një fëmijë, nuk duhet të shqetësoheni. Ja disa fakte rreth kandidozës që çdo nënë e ardhshme duhet t'i dijë:
-
Megjithëse mund të shkaktojë shqetësime apo dhimbje gjatë marrëdhënieve seksuale, kandidoza nuk ju pengon të mbeteni shtatzënë
-
Në bazë të evidencave, kandidoza nuk e dëmton foshnjën e palindur
-
Nëse transmetohet gjatë lindjes, kandidoza te bebet është zakonisht e padëmshme dhe e lehtë për t'u identifikuar dhe trajtuar
Shmangia dhe trajtimi i kandidozës gjatë shtatzënisë
Ekzistojnë disa hapa parandalues që çdo grua shtatzënë duhet të ndërmarrë për të reduktuar rrezikun e zhvillimit të kandidozës gjatë shtatzënisë. Ato janë të thjeshta, praktike dhe efikase në parandalimin e infeksionit mykotik vaginal. Higjiena e duhur, të brendshmet e pambukta dhe respiruese si dhe kontrollet e rregullta te gjinekologu janë disa nga faktorët që ju ndihmojnë të reduktoni rrezikun nga kandidoza.
Megjithatë, nëse prekeni gjithsesi nga një infeksion mykotik, konsultohuni fillimisht me gjinekologun përpara nisjes së çfarëdolloj trajtimi. Trajtimet për kandidozën përfshijnë zakonisht rekomandimin e tabletave ose kremrave anti mykotikë.
Duke qenë se parandalimi është më mirë se kurimi, ja disa këshilla që ju vijnë në ndihmë për parandalimin e kandidozës:
-
Vishni pambuk dhe të brendshme të ajrosura, jo shumë të ngushta
-
Siguroni higjienën e duhur, por shmangni banjat shkumuese dhe përdorimin e sapunëve apo produkteve të kujdesit personal me kimikate të forta përreth vaginës
-
Mos i praktikoni dushet vaginale pasi ato mund të shtojnë rrezikun e irritimit vaginal dhe mund të çrregullojnë ekuilibrin e vaginës
-
Ndërrojini të brendshmet çdo ditë dhe lajini me ujë të nxehtë
-
Fshihuni në drejtim para-pas për të shmangur kalimin e baktereve në vaginë
1. Gonçalves B, Ferreira C, Alves CT, Henriques M, Azeredo J, Silva S. Vulvovaginal candidiasis: epidemiology, microbiology and risk factors. Crit Rev Microbiol. 2016;42(6):905-927.oi:10.3109/1040841X.2015.1091805