Kandidoza te meshkujt
Kandidoza është një gjendje e zakonshme që prek si burrat ashtu edhe gratë. Ajo shkaktohet nga rritja e tepërt e një infeksioni fungal të ngjashme me mykun, Candida albicans. Shumica e personave, që zhvillojnë një infeksion mykotik janë të shëndetshëm, por ekuilibri natyral i florës së lëkurës së tyre është prishur.
Zakonisht te meshkujt kandidoza prek kokën e penisit. Disa prej simptomave të hershme të kandidozës te meshkujt përfshijnë kruarje të kokës së penisit, dhimbje dhe inflamacion të kokës së penisit, ënjtje të lafshës së penisit dhe një ndjesi kruarje ose djegieje gjatë urinimit ose marrëdhënieve seksuale.
Kandidoza zhvillohet kryesisht te burrat me ngushtim të lafshës dhe tek ata me sistem të dobët imunitar. Nuk ka nevojë të shqetësoheni shumë në rast të kontaktit me kandidozën vaginale; edhe pse mund të transmetohet nëpërmjet seksit, një gjë e tillë nuk ndodh shpesh. Ka më shumë gjasa të prekeni nga kandidoza nëse:
-
Keni ngushtim të lafshës
-
Keni sistem të dobët imunitar
-
Jeni duke marrë antibiotikë
-
Vuani nga diabeti
Si parandalohet dhe trajtohet kandidoza te meshkujt
Edhe pse infeksioni mykotik penil është i lehtë për t'u trajtuar, rekomandohet gjithmonë që të ndërmerren hapa parandalues për reduktimin e rrezikut. Sigurimi i higjienës së duhur dhe mbajtja e veshjeve të lirshme dhe respiruese janë disa nga veprimet më të thjeshta dhe më efektive që ndihmojnë në parandalimin e kandidozës te meshkujt.
Jeni treguar i kujdesshëm, por jeni infektuar gjithsesi nga kandidoza? Mos u shqetësoni – kandidoza trajtohet në mënyrë efektive me barna pa recetë, të cilat zakonisht i lehtësojnë simptomat e para brenda një periudhe prej 3 deri në 14 ditësh. Disa nga barna më të përdorura për kandidozën përfshijnë kremrat që aplikohen në kokën e penisit, 2-3 herë në ditë, si Canesten® krem 10mg/g.
Shihni disa prej këshillave të tjera parandaluese:
-
Mbani veshje të lirshme dhe të brendshme duhet te jene të pambukta dhe ajrosura dhe jo shumë të ngushta
-
Shmangni përdorimin në zonat intime të sapunëve apo xhelrave të dushit të fortë e me përmbajtje parfumi
-
Pastrojeni rregullisht penisin dhe thajeni mirë pas larjes
-
Bëni dush në vend të banjave të gjata në vaskë